Proverbios 14
Gruaja e urtë ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta.
Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë.
Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre.
Aty ku nuk ka qe grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut.
Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra.
Tallësi kërkon diturinë dhe nuk e gjen, por dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend.
Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij.
Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim.
Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja.
Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj.
Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë.
Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.
Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje.
Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij.
Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.
Njeriu i urtë i trëmbet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull.
Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer.
Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije.
Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve.
Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.
Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur.
A nuk devijojnë, vallë nga rruga e drejtë ata që kurdisin të keqen? Por ata që mendojnë të mirën kanë për të gjetur mirësi dhe të vërtetën.
Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri.
Kurora e njerëzve të urtë është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi.
Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve, por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra.
Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi.
Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes.
Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve.
Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.
Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave.
Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.
I pabesi përmbyset nga vetë ligësia e tij, por i drejti ka shpresë në vetë vdekjen e tij.
Dituria prehet në zemrën e atij që ka mend, por ajo që është në zemrën e budallenjve merret vesh.
Drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve.
Dashamirësia e mbretit është për shërbëtorin që vepron me urtësi, por zemërimi i tij është kundër atij që sillet me paturpësi.