Sprüche 5
Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim,
me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë.
Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji;
por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa.
Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol.
Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton.
Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime.
Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj,
për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë.
Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji,
dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar,
dhe të thuash: "Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime?
Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin.
U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit".
Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd.
A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë?
Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty.
Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate.
Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.
Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje?
Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij.
I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij.
Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.