Psalmen 102
O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.
Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.
Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.
Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.
Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.
I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.
Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.
Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.
Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi.
Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.
Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.
Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi.
Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi.
Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.
Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote,
kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.
Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.
Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,
sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,
për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;
me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,
kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t'i shërbyer Zotit.
Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.
Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi.
Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua;
ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t'i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen.
Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund.
Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje".