Salmos 33
Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.
Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.
Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.
Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.
Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.
Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.
Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.
Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.
Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.
Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.
Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.
Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.
Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.
Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.
Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.
Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.
Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.
Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t'i mbajtur të gjallë në kohë urie.
Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.
Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.